Home

  Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën

 

FASTIP-i është një nga shtatë fakultetet e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, i cili funksionon në bazë të sistemit dual të arsimimit që është një histori suksesi në Gjermani. Në çdo semestër 50% e kohës konsumohet për përgatitje teorike në auditor dhe 50% e kohës pranë kompanive për trajnim praktik.

 

Në FASTIP mësimdhënia kryhet ne gjuhën angleze kryesisht nga profesorë të ftuar të huaj që vijnë nga universitete evropiane apo amerikane. Ata bashkë me kontributin e tyre për përgatitjen e studentëve tanë, u transmetojnë atyre njohuritë më të reja shkencore si edhe i pajisin studentët me metoda kërkimore bashkëkohore.

 

Në FASTIP studimet universitare zgjasin tre vite dhe mbyllen me diplomën Bachelor (diplomë me 180 kredite). Pas këtyre tre viteve studenti është i përgatitur të punësohet ose të vazhdojë studimet në programe master dhe doktorature, në Shqipëri apo jashtë vendit.


Për më shumë :   FASTIP  Video                                  Mbi  FASTIP-in


Historiku :


Fastip u hap me V.K.M  Nr. 827 datë 11.06.2008 “Për hapjen pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës të “Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën” (FASTIP) dhe për mënyrën e funksionimit të tij në periudhën kalimtare”, në kuadrin e projektit “Zhvillim i qëndrueshëm ekonomik përmes arsimit profesional” që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe nën kujdesin e GTZ-së. Si bazë për ngritjen e FASTIP-it është marrë  përvoja më e mirë Gjermane e Akademive profesionale të Landit Baden-Würtemberg.


Organ kolegjial dhe autoritet drejtues i FASTIP-it është Këshilli i Fakultetit. Ai  kryesohet nga Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe ka një përfaqësim të barabartë në numër të përfaqësuesve të biznesit, të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të personelit akademik.

Karakteristikë thelbësore e këtij fakulteti dual është kombinimi i njohurive që merren në fakultet me ato të marra nga trajnimi praktik nëpër kompani apo ndërrmarje të ndryshme. Programi i studimit zgjat tre vjet dhe është i ndarë në gjashtë semestra ku çdo semestër zgjat 12 javë studim akademik dhe alternohet me fazat e trajnimit praktik në firmë, të cilat zgjasin 14 javë.  FASTIP-i ofron arsimimin akademik përkatës me module 2- javore të cilat zhvillohen tërësisht  në gjuhën angleze nga profesorë të ftuar ndërkombëtarë. Përsa i përket praktikës, bazohet në një plan të hartuar bashkarisht nga firma e trajnimit dhe fakulteti. Pas këtyre tre viteve studenti krahas diplomës Bachelor of Arts të Universitetit të Durrësit do të marrë ndërkohë edhe përvojën praktike duke krijuar kështu një bazë të shkëlqyer për startin në jetën profesionale.

 

FASTIP-i  financohet kryesisht nga buxheti i shtetit ndërsa kompanitë trajnuese kontribuojnë me një tarifë për çdo student që mbështesin, të ardhura të cilat shërbejnë për të afruar pranë FASTIP-it lektorë të kualifikuar për një mësimdhënie bashkëkohore; ndërsa studentët paguajnë tarifën normale të shkollimt për  institucionet e arsimit të lartë ne Shqipëri.      
Programet e ofruara janë: Menaxhimi i Bankave, Hoteleri-Turizmi dhe  Menaxhimi i Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme; programe të cilat për pjesën teorike ofrojnë njohuritë e nevojshme mësimore në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit, ndërsa pranë firmave studentët praktikojnë bazat teorike. 

FASTIP-i filloi aktivitetin akademik me degën e Menaxhimit të Bankave, në tetor 2008.                           

 

Në tetor 2010 u hapën dhe dy degët e tjera: Menaxhimi i Hoteleri-Turizmit dhe Menaxhimi i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Ndërsa viti akademik 2012-2013 e gjen FASTIP-in edhe me një degë tjetër të re të hapur, atë të Multimedias dhe Teknologjisë së Informacionit, gjë e cila tregon për suksesin në rritje të fakultetit tonë.